Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë. Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksident trafiku ka ndodhur dje pasdite edhe në fshatin Savrovë të Suharekës, ku një veturë ka goditur një këmbësor.

Sinjali mëson se viktima ka mbetur i lënduar rëndë dhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe më pas është udhëzuar që të vazhdojë trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë, personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti ende nuk është identifikuar.