Sot edhe zyrtarisht është emëruar kabineti i ri qeveritar në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Emërimi i tyre është bërë sot në një konferencë të thirrur nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Me këtë rast, Bulliqi ka thënë se të gjithë të vendosurit në krye të drejtorëve, sipas tij, janë profesionalë.
Kreu i kësaj komune ka bërë të ditur se ka vendosur në krye të drejtorisë Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Vigan Salihun.
Salihu ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Bujqësisë, drejtimi ekonomi bujqësore. Është në prag të diplomimit si master në drejtimin Agroekonomi.
Në një konferencë për medie, i pari i Podujevës, duke prezantuar drejtorët, ka thënë se nën qeverisjen e tij do të ketë transparencë e llogaridhënie.
“Synimi ynë është të kthejmë besimin e qytetarëve në institucione. Do të qeverisim me dije, guxim dhe pa arrogancë. Do të bashkëpunojmë me partitë opozitare. Do të jemi afër atyre që kanë më së shumti nevojë. Do të qeverisim pa e diskriminuar askënd. Në ekzekutivin tim kam kuadrin e ri e profesionale. Ashtu siç jam zotuar në fushatën zgjedhore që gratë dhe të rinjtë do të kenë hapësirën e nevojshme për të dëshmuar vetën në ekzekutiv, ashtu edhe kam vepruar”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info