Gjysmëvjetori i dytë do t’i gjejë nxënësit e fshatit Halabak në objektin e ri shkollor.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës fillore në fshatin Halabak të Podujevës. Ai është zotuar se ky objekt do të jetë gati për nxënës nga gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2015-2016.
“Jemi zotuar që brenda 45 ditësh ta ndërtojmë këtë shkollë, një shkollë moderne e cila plotëson kërkesat e fshatit Halabak, në mënyrë që këta fëmijë të kenë ambiente të mira për mësim. Krahas objektit shkollor dëshirojmë të kemi një shkollë cilësore dhe i lus të gjithë mësimdhënësit që pas përfundimit të objektit, të gjithë të punojmë që nxënësve t’iu ofrojmë mësim cilësor, një mësimdhënie të shekullit 21”, ka thënë Arsim Bajrami. Ministri i MASHT-it ka theksuar se kanë siguruar buxhetin e plotë për ndërtim të një shkolle moderne, por edhe për inventar.
“Si ministër do të kujdesem që kjo shkollë të pajiset edhe me teknologji, në mënyrë që vërtetë të krijojmë një shkollë të mirë e cila nuk do të jetë vetëm një vatër e mësimit, por edhe e argëtimit të fëmijëve, një shkollë humane, e cila do të plotësojë të gjitha kërkesat e komunitetit. Kërkoj nga operatori ekonomik që të kryejë punët në afatin e paparë dhe fëmijët në gjysmëvjetorin e dytë të mos udhëtojnë, por të kenë shkollën e tyre”, tha ai.
Edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se do të ndërtohet një objekt bashkëkohor, i cili do të plotësojë kërkesat për hapësirë fizike, në mënyrë që të kenë cilësi në mësimdhënie dhe në mësimnxënie.
Objekti i ri do të ketë sipërfaqe bruto 485 m², ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e objektit është 194,500.00 euro./Llapi.info