Sot është vënë gurthemeli i objektit të ri të Brigadës për Shpëtim dhe Zjarrfikje në komunën e Podujevës. Gurthemelin e këtij objekti e kanë vënë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, raporton Llapi.info.
Objekti i ri i kësaj brigade do të ketë 900 metra katrorë me mundësi rritje dhe zgjerimi dhe investimet për këtë objekt do të jenë rreth 213 mijë euro. Këtë e bëri të ditur Ministri Hyseni.
“Objekt që do të ketë afërsisht 900 metra katrorë dhe kjo bëhet në vazhdën e punëve që po bënë ministria e punëve të brendshme për ta përsosur më teje infrastrukturën për zjarrfikje dhe shpëtim. Ne shpresojmë që në një afat të mesëm objekti që po fillon sot së ndërtuari do të plotësojë nevojat e njësisë së zjarrfikjes dhe shpëtimit në komunën e Podujevë, por është lënë mundësia në projeksione që ky objekt të rritet dhe të zgjerohet sipas nevojave që do të dalin në ndërkohë në komunën e Podujevës.” tha Hyseni ndër të tjera.
Hyseni gjithashtu shtoi se shpreson që kompania e përzgjedhur do t’i kryejë punët në afat rekord dhe me cilësinë e paraparë në projekt.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka falenderuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë donacion për shërbimin më të rëndësishëm të komunës për Shërbimin e Zjarrfikjes.
“Mua më mbetet vetëm me falenderu Ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë donacion për shërbimin më të rëndësishëm të komunës për Shërbimin e Zjarrfikjes duke pas parasysh që komuna e Podujevës është komuna ma e madhe me territor edhe komuna prej më të mëdhave me numër të banorëve ka pas nevojë që të ketë një objekt me kushte të nevojshme.” tha Veliu.
Përveç të tjerave Veliu përmendi faktin se deri tani Brigada e Zjarrfikjes ka punuar në kushte jashtëzakonisht të rënda por e ka kryerë punën me përgjegjësi të jashtëzakonshme./Llapi.info