Breshëri dhe reshjet e vazhdueshme të shiut që ranë këtë vit sollën mjaft dëme në bujqësi, por, këto kushtet klimatike, sipas bletarëve ishin të dobishme për sektorin e bletarisë.
Bletari Roland Paçarizi, thotë se është i kënaqur me sasinë e mjaltin e fituar dhe përfitimet që vijnë si rezultat i bletëve punëtore dhe angazhimit të tij.
Është i ri në moshë dhe thotë se pasion e profesion e ka bletarinë. Roland Paçarizi, nga Dragobili i Malishevës, rrëfen për Radio Kosovën për punën që bënë, përderisa shton se, kushtet klimatike që mbizotëruan këtë vit, bënë që bletët të rrisin prodhimtarinë.
“Unë merrem qe shtatë vite me bletari. Për momentin i kam rreth 130 koshere me bletë. Këtë vit ka pasë bereqet. Ka pasë rendiment të mjaltit këtë vit, në krahasim me dy vitet e fundit kur nuk ishte koha e përshtatshme. Këtë vit është mirë, diku mesatarja për koshere ka qenë diku 20-25 kilogram”, pohoi ai.
Bletari Paçarizi, i cili shprehet i kënaqur me mjaltin që bletët këtë vit ia prodhuan, tregon se bletët dhe mjalti janë përditshmëria e tij. Ai tregon se a ia vlen të merret me bletari.
“Me bletari me u marrë ka fitime, ama ka edhe shumë punë e angazhime. Beleta është insekt i ndjeshëm kërkojnë shumë kujdes. Nëse nuk i rrinë gati, shkon në dëm. Por, përgjithësisht mirë është. S’bënë me u ankua”, tha ai.
Paqarizi, i cili bletarinë e ka punë, e me të cilën krijon të ardhura për familjen e tij, tregon se çmimi i një kilogrami mjaltë është 15 euro. Ai flet edhe për subvencionet të cilat Ministria e Bujqësisë i ndanë çdo vit për ata që posedojnë bletë.
“Prej shtetit marrim nga pesëmbëdhjetë euro për koshere. Është njëfarë ndihmese e mirë, se normal edhe bletët i kanë shpenzimet e veta. Nuk mjaftojnë, na ndihmojnë diçka. Si thonë më mirë pak se hiq” u shpreh bletari Roland Paqarizi.
Ministria e Bujqësisë, edhe këtë vit subvencionon bletarët, dhe për këtë ka planifikuar të ndaj 2 milion euro.
Në Raportin e Gjelbër, kësaj ministrie, thuhet se vendi ynë në vitin 2017 kishte rreth 170 mijë koshere me bletë. Në këtë dokument theksohet se edhe përkundër rritjes së prodhimtarisë vendore, në Kosovë janë importuar 200 mijë kilogram mjaltë, përderisa mbulimi i nevojave për konsum nga prodhimtaria vendore ishte 74 %.