Viti shkollorë 2017/18 në Komunën e Podujevës po cilësohet i suksesshëm.

Se që është mbyllur viti me rezultate të mira e solide u tha nga këshilltarët komunalë si dhe nga Drejtoria e Arsimit, në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal të Podujevës.

“Se që ishte vit i suksesshëm tregojnë edhe faktet. Pra, është përmbyllur me sukses viti shkollorë 2017-18. Në të gjitha shkollat e Podujevës, por edhe ato në Kosovë i janë nënshtruar një reforme të re, pra zbatimi i një kurrikule të re të Arsimit para universitar. Kjo reformë është zgjeruar dhe në këtë grup kanë qenë të përfshira 3 shkolla nga Podujeva si ajo e Gjimnazit, ajo Ekonomike “Isa Boletini” dhe Shkolla “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik. Rezultatet nga dy testet janë me rezultat solid, ku vërehet puna e mirë nga të akterët duke filluar nga mësimdhënës, drejtorët dhe të gjithë të tjerët”, ka thënë u. d i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Agim Blakçori.

Kurse, këshilltari nga radhët e AAK-së, Patriot Rudari, ka thënë se këtë vit nga gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, 17 nxënës janë pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.

“Viti shkollorë 2017-18 ishte i suksesshëm, në këtë vit nxënësit e gjimnazit kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm, Testin e Maturës e kanë kaluar 97 për qind e nxënësve. Për herë të parë sivjet janë regjistruar 17 nxënës në Fakultetin e Mjekësisë”, ka thënë Rudari.

“Mirëpo, pos anëve pozitive në ka edhe anë negative, mësimdhënësit nuk trajtohen njësoj, e sidomos nëpër shkolla të mëdha”, ka vazhduar ai.

Edhe këshilltarja nga LDK Arlinda Kadriu, ka thënë se ky vit ka qenë i suksesshëm si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme.

“Në nivel për të gjitha shkollat në Podujevë, nuk është një notë mesatare e ulët, as për shkollat fillore e as për ato të mesme. Po ashtu edhe në të dy testet kemi rezultat të kënaqshëm. Ajo që më ka bind se ka qenë rezultat real është edhe pranimi në fakultete më të mira nga nxënësit e Komunës së Podujevës shembull në atë Mjekësisë, shkenca kompjuterike e të tjera”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka shtuar se është shqetësuese, reduktimi i 60 vendeve të punës për mësimdhënës në Podujevë për vitin 2019./Llapi.info