Më i madh ka qenë numri i aksidenteve që kanë ndodhur në Komunën e Podujevës përgjatë vitit 2018, në krahasim me vitin paraprak, shkruan Llapi.info
Numri total i aksidenteve në këtë Komunë deri më tani është 292 aksidente, prej tyre 3 kanë përfunduar me fatalitet. Ndërsa, në vitin 2017 deri në fund të dhjetori patën ndodhur 244 aksidente.
“Në rajonin e Podujevës në vitin 2018 kanë ndodhur gjithsejtë: 292 aksidente, prej tyre: 3 aksidente me pasoja fatale, 243 me lëndime trupore dhe 46 me dëme materiale”, thuhet në përgjigjen e zyës për marrëdhënie me publikun dhe media të Drejtorisë Rajonale të Policisë-Prishtinë, për Llapi.info
Policia e Kosovës ka njoftuar edhe shkaktarët e këtyre aksidenteve.
“Shkaktarë të këtyre aksidenteve, shpejtësia (183), mos mbajtja e distancës (43), pa kujdesia (50), kthimi i pa sigurt (3), tejkalim (1) dhe ndërrimi i shiritit (1)”, thuhet tutje në përgjigjen e PK-së.
Kurse, në nivel vendi që nga janari e deri në nëntor të vitit 2018 kanë ndodhur gjithsejtë 14 mijë e 393 aksidente, ku prej tyre 85 kanë qenë fatale me 105 persona të vdekur, derisa zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se kanë punuar për ofrimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës nga fushëveprimi i saj si në aspektin parandalues edhe atë aktiv operacional ka punuar në vazhdimësi për një siguri më të madhe në trafikun rrugor. Qëllimi i këtyre angazhimeve policore ka qenë reduktimi i aksidenteve në trafik, në veçanti evitimi i aksidenteve me pasoja fatale në njerëz. Mbështetje në adresimin e kësaj çështje janë koordinuar dhe në bashkëpunim janë ndërmarr edhe masa efektive për përmirësim të gjendjes në trafik”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Llapi.info
Përveç aksidenteve, në këto statistika të Policisë së Kosovës tregohet edhe për numrin e gjobave të shqiptuara deri në nëntor. Vetëm në periudhën kohore janar-nëntor gjithsejtë janë shqiptuar 373 mijë e 814 gjoba.
“Policia në kuadër të përgjegjësive të saj përveç aktiviteteve tjera ka formuar edhe TASK-FORCËN për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, dhe plani veprues dhe parandalues i kësaj ”TASK FORCE” ka paraparë edhe përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.
Referuar statistikave për këtë periudhë kohore krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënie të aksidenteve në tersi, por humbja e vetëm edhe një jete mbetet shqetësuese dhe brengosëse për ne.
Një nder prioritetet mbetet edhe bashkëpunimi ne nivel ministrish dhe ne nivele komunale me qellim te ngritjes se bashkëpunimit dhe ndërmarrjes se veprimeve konkrete edhe ne vendosjen e kamerave (statike) te cilat do te ndikonin ne ngritjen e sigurisë ne trafik”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK-së./Llapi.info