Komuna e Podujevës e cila është njëra ndër komunat më të mëdha në Kosovë, por që njihet edhe si qyteti që nuk ka as të vetmin semafor, shkruan Llapi.info
Mirëpo, ky ‘epitet’, nuk do të vlejë më. Tërë kjo, pasi që edhe në territorin e Podujevës pritet të nisë së funksionuari semafori i parë, pas përfundimit të punimeve në rrugën e qendrës së kësaj komune.
Kështu ka thënë për Llapi.info zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.
“Në udhëkryqin e rrugëve “Zahir Pajaziti” -“Besnik Restelica” – “Vëllezërit Frashëri” (te marketi “Interex”) është planifikuar vendosja e semaforëve”, ka deklaruar Elezi.
E vendosja e tyre po bëhet pasi që është prishur asfalti për t’u zgjeruar dhe asfaltuar rruga e qendrës “Zahir Pajaziti”. Sipas Elezit, ky projekt do të bëhet me të gjithë infrastrukturën përcjellëse.
“Me projektin që është duke u realizuar në ndërtimin dhe zgjerimin e Rrugës “Zahir Pajazit”, segmenti nga Hoteli “Besiana” deri te udhëkryqi i Rrugës “19 Qershori”, është paraparë ndërtimi i tërë infrastrukturës përcjellëse (kanalizimi fekal dhe atmosferik, rrjeti i ujësjellësit, rrjeti elektrik, telefonisë, rrjeti i kabllor, trotuaret, ndriçimi publik)”, është shprehur Elezi.
Ndërkaq, sa i përket punimeve në rrugën kryesore të Podujevës, këshilltarët opozitarë kanë akuzuar Komunën për keqpërdorime të parasë publike. Kjo pasi që është shkatërruar asfalti i shtruar para dy vitesh në kohë fushate.
Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e fundit të asamblesë komunale, kur po diskutohej informata e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit për këtë rrugë, ka thënë se këtu ka projekt mbi projekt.
“Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka sjellë një informatë, e cila sipas Grupit të këshilltarëve të LVV-së është informatë jo e plotë ku në këtë informatë mungojnë shumë elemente me rëndësi e që është dashur të ceken. Meqenëse bëhet fjalë për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, në këtë informatë nuk ceket se po në këtë rrugë në vitin 2017 konkretisht, në shtator, në kohë fushate, në mënyrë të jashtëligjshme janë bërë rikonstruktimi dhe asfaltimi i kësaj rruge në vlerë prej 155.493.52 eurosh. E kemi marrë konfirmimin edhe nga kryesuesi i Kuvendit se kjo rrugë është riasfaltuar kundërligjshëm”, ka thënë ai.
“Vetë kryetari Veliu pati thënë se nuk do të prishet, ndërsa tani ka filluar të hiqet komplet asfalti. Këtu kemi të bëjmë me strukturën më të lartë të keqpërdorimit të taksapaguesve”, është shprehur Haziri.
Në anën tjetër, Arbër Blaku i PDK-së, ka thënë se bizneset janë të paralizuara nga këto punimet, sipas tij, të stërzgjatura.
“Për këtë projekt dyvjeçar duhet me dhënë më shumë detaje, ndërsa puna s’është kryer. A duhet të paditet kompania? E keni mbyllur rrugën, por është dashur të lirohen rrugët tjera e pastaj të prishet asfalti. Është dashur të rregullohet së pari rruga “Vëllezërit Frashëri”, për me mbyll atë pjesë. I keni paralizu totalisht bizneset dhe këtu është mosplanifikim i duhur. Andaj, kam propozim që për shkak të dëmeve bizneset të lirohen nga taksa se ka ndikuar në punën e tyre”, ka thënë Blaku në Kuvendin Komunal.
Ndryshe, riasfaltimi i kësaj rruge ishte bërë në kohë fushate pa ndonjë vendim në Kuvendin Komunal, derisa i pari i Podujevës Agim Veliu, pati thënë se kjo rrugë nuk do të prishet, por në fakt ajo është shkatërruar në të gjithë rrugën e qendrës në Podujevë, e që është edhe më e frektuentura./Llapi.info