Ndonëse i shoqëruar me disa probleme, viti i ri shkollor sot ka filluar në shkollat e Komunës së Podujevës.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, për Llapi.info ka thënë se 34 shkolla të kësaj komune kanë qenë në rinovim, ku kanë intervenuar me ngjyrosje dhe meremetime teknike, por ato kanë arritur të përfundojnë, në mënyrë që nxënësit të fillojnë vitin e ri shkollor sot me 1 shtator.
“Shkollat të cilat kanë qenë në renovim, tashmë janë të gatshme për mësim, ndërsa shkollat tjera janë dezinfektuar të gjitha, pasiqë nëpër ato shkolla nuk ka pasur nevojë për renovim” ka thënë Maloku.
Ai më tej ka përmendur rastin e shkollave fillore në Podujevë “Enver Maloku” dhe “Naim Frashëri” ku nxënësit e këtyre shkollave kanë filluar vitin e ri shkollor në objektet e vjetra, por pasi të arrijnë të përfundojnë punimet në objektet e reja, këta nxënës do të transferohen atje.
Lidhur me nxënësit e shkollës së djegur në fshatin Halabak, Drejtori i Arsimit, Avni Maloku, ka thënë se nxënësit do të fillojnë mësimin në shkollën amë në Tërnavë, deri në ndërtimin e objektit të ri shkollor në këtë fshat, ku sipas tij, tashmë kanë bërë kërkesë që ky projekt të përshpejtohet.
Lidhur me konkursin për mësimdhënës nëpër shkolla të caktuara, ai ka thënë se ka përfunduar me sukses, ku tashmë janë sistemuar 30 mësuese, që të gjitha të diplomuara./Llapi.info