Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Me këtë rast ai ka thënë se është njoftuar se deri tani asnjë nga të vaksinuarit nuk ka pasur efekte anësore si pasojë e vaksinës.
Ai ka thënë se vaksina është e sigurt, derisa ka apeluar te qytetarët që ta marrin atë.
“Unë kuptova që asnjë person që është vaksinuar deri tani nuk ka pasur asnjë efekt anësorë, i cili do të mobilizonte ekipin e qendrës për intervenim. Vaksina është e sigurtë dhe ftoj të gjithq qytetarët mbi moshën 80 vjeç të vaksinohen”, ka thënë ai.
Vitia ka thënë se nga fundi i muajit prill ose muajit maj presin që të furnizohen përsëri me vaksina nga COVAX.
“Ne jemi duke diskutuar me secilin nga vendet mike për mundësinë e ofrimit të vaksinave si donacion. Një pjesë e këtyre vendeve kanë bërë vaksinimin e një numri më të madh të qytetarëve të tyre, por duhet ta kemi parasysh që të gjitha shtetet po përballen me këtë problematikë, dhe pa vaksinuar qytetarët e tyre është problematik që të furnizojnë Kosovën”, ka shtuar ai.