Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se masat që kanë hyrë sot në fuqi janë më se të nevojshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Vitia në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, të mërkurën pasdite, tha se spitalet e Kosovës janë të mbingarkuara me pacientë me COVID-19. Ai e paraqiti situatën si tejet të rënduar.
“Kemi mbi 900 pacientë të shtruar në spitale. Kemi personelin shëndetësorë që është i pakët në këtë situatë të krijuar dhe stërlodhur. Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet më shpejt dhe i prekë moshat e reja që do të vaksinohen tek me planin e tretë të vaksinimit. Masat janë mëse të nevojshme për shkak se konsiderohet si mjeti më efektiv për mbrojtje nga COVID 19”, ka thënë ai në konferencë.
Vitia ka thënë se masat e reja janë të nevojshme dhe se kuptojnë shqetësimet e ngritura nga sektori ekonomik.
“Masat e reja kufizuese e kompletojnë procesin e vaksinimit veçanërisht tash që është në fazën fillestare. Me këtë situatë të rëndë ku trendi i rritjes është i vazhdueshëm duhet të bëjmë çdo gjë që ta ulim këtë trend”, shtoi ai.
“E kuptojmë kritikë se masat e deritanishme janë në dëm të ekonomisë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e sektorëve dhe bashkëndjejmë. Prandaj siç është paraparë, MF-ja ka përgatitur edhe masat që synojnë ruajtjen e shëndetit të ekonomisë”.
Nga sot e deri më 18 prill, ndër të tjera është mbyllur gastronomia.