Spitali i Përgjithshëm në Podujevë pritet të funksionalizohet vitin e ardhshëm. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësi, Imet Rrahmani, i cili sot i dorëzoi kryetarit të Komunës së Podujevës vendimin për themelimin e këtij spitali, shkruan Llapi.info.

Sipas Rrahmanit, Ministria e Shëndetësisë ka paraparë edhe më herët disa aktivitete dhe investime për këtë spital, gjithashtu edhe në Ligjin për Buxhetin për vitin 2017 është paraparë një sasi e investimeve.

“Disa shërbime mund të funksionalizohet shumë shpejt sepse vetëm duhet ne t’i orientojmë edhe profesionistët shëndetësorë dhe krijojmë hapësira këtu. E hapësirat janë. Ne e kemi vizituar edhe herën e kaluar spitalin, po ne do të shohim vetë sistemimin e tyre edhe të profesionistëve po edhe të aparaturës këtu. Unë besoj që viti 2017 do të jetë viti kur spitali do të jetë funksional. Jo ndoshta në kapacitete të plota, po sigurisht shërbimet e para do të jepen në vitin e ardhshëm”, tha Rrahmani.

Ndërsa, sipas Veliu hapi i parë i formaliteteve ligjore është kryer me dorëzimin në mënyrë simbolike të këtij vendimi, tani sipas tij duhet të punohet bashkërisht deri në funksionalizimin e këtij spitali.

“Sigurisht ne do të punojmë bashkërisht, ne do ta caktojmë një dinamikë sepse tash çështjet e organizimit dhe përgjegjësitë kalojnë edhe në nivel tjetër të Qendrës Klinike Universitare, d.m.th nuk janë çështje që mund të merremi me disa, as komuna as ministria por ne do të punojmë bashkërisht që gjërat t’i mbajmë në rrugën e duhur”, u shpreh Veliu.

Marrja e vendimit si përgjigje në kërkesën e Kuvendit Komunal të Podujevës që të themelohet Spitali i Përgjithshëm në qytetin e Podujevës, sipas Rrahmanit do të thotë shumë për popullatën e Podujevës dhe për ngritjen e kapaciteteve të reja të shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve.

“Ngritja e spitaleve si ky i Podujevës do të mundësojë që QKUK të jetë më pak e ngarkuar në shërbimin sekondar shëndetësore dhe qytetarët e Podujevës dhe fshatrat përreth ose të themi të regjionit të Llapit të kenë një Spital të Përgjithshëm ku do të marrin shërbime të nivelit dytësor. Roli i Ministrisë së Shëndetësisë është kryesori në këtë rast pas vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës, sepse në njëfarë mënyrë është themelues i këtij institucioneve dhe mban përgjegjësi për funksionalizim,” shtoi më tutje Rrahmani.

Sipas Rrahmanit në këtë spital qytetarët do të mund të marrin shërbime që kryesisht do të jenë gjinekologjike, internistike, pediatrike dhe kirurgjike duke përfshirë edhe emergjencën./Llapi.info

Objekti i Spitalit
Objekti i Spitalit