Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Shkurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2017.
Të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2017 nga Gjykatat Themelore të Kosovës, ku janë grumbulluar gjithsej 1 072 fleta statistikore për shkurorëzime SHK-1.
Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2017 janë raportuar të shkurorëzuar 1.072 çifte-bashkëshorte.
Prej tyre, meshkuj të përkatësisë shqiptare ishin 97.5%, serbe 0.3%, turke 0.2%, boshnjake 0.6%, rome, ashkali dhe egjiptiane 0.7% dhe të tjerë 0.7%.
Femrat e shkurorëzuara sipas përkatësisë etnike ishin: shqiptare 84.0%, serbe 0.5%, turke 0.2%, boshnjake 0.8%, rome, ashkalike dhe egjiptiane 0.8% dhe të tjerë 13.7%.
Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti i parë me 13.4%, viti i dytë me 13.2% dhe me më pak se një vit 9.6 % e të shkurorëzuarve.
Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominonin femrat e moshës 25-29 vjeçare me 230 shkurorëzime, ose 21.5 %, kurse te meshkujt dominonte mosha 30-34 vjeç me 228, ose 21.3%.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 332, ose 31.0%, kurse e meshkujve 390, ose 36.4%.
Numri më i madh i bashkëshortëve të shkurorëzuar janë pa fëmijë me 68.9%, pastaj vijnë me dy fëmijë me 11.2 % dhe me tre fëmijë me 9.1%.