Vitin e ardhshëm pritet të nisin punimet për ndërtimin e “Bulevardit të Dëshmorëve” në Podujevë, njofton Llapi.info

Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Podujevës, Agim Veliu në një intervistë për RTK-në të realizuar në qytetin e Podujevës.

“Në pjesën perëndimore pranë lumit Llap tashmë kanë filluar ndërtimi e rrugës të re sepse nuk ka pasur rrugë. Edhe kjo rrugë do të na mundësojë që vitin e ardhshëm ta fillojmë ndërtimin e sheshit kryesor të Podujevës, projektin të cilën tashmë e kemi të gatshëm” ka thënë Veliu.

Ndërsa, sipas statistikave të institut për studime të avancuara GAP, ky shesh do të kushtojë 950 mijë euro.

Kurse, në debatin publik me qytetarët Agim Veliu, ka thënë se projektet e miratuara në Kuvend, që janë të përfshira në buxhetin e Komunës, deri më tani janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik.

i pari i Podujevës ka përmendur edhe në këtë debat fillimin e realizimit të disa projekteve të mëdha infrastrukturore në qytet, siç është hapja e rrugës së re pranë lumit Llap, në pjesën perëndimore të qytetit, e cila do të shërbejë si unazë e brendshme dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në qytet dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e asaj pjese të qytetit.

“Së shpejti do të fillojmë edhe me zgjerimin e një segmenti të Rrugës “Zahir Pajaziti” duke filluar nga udhëkryqi i rrugës “19 Qershori” deri te udhëkryqi që lidh magjistralen Podujevë – Prishtinë , ku paralelisht do të bëhet edhe rregullimi i infrastrukturës përcjellëse”, ka thënë ai.

Më tej Veliu ka thënë se janë edhe shumë projekte të tjera që janë duke u realizuar dhe që pritet të realizohen gjatë këtij viti në sektorë të tjerë./Llapi.info