Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nesër është në rend të ditës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për Çështje të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.

Sipas agjendës së publikuar të BE-së, aty pritet miratimi i qëndrimit të Këshillit në lexim të parë dhe i deklaratës me arsyetimet e Këshillit tashmë të miratuar nga COREPER (niveli i ambasadorëve).

Gjatë leximit të parë, Këshilli mund të vendosë të pranojë qëndrimin e Parlamentit Europian, me ç’rast akti legjislativ miratohet, ose mund të ndryshojë qëndrimin e Parlamentit dhe ta kthejë propozimin në Parlament për lexim të dytë.

Pas marrëveshjes ndërmjet shteteve anëtare për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas së cilës ajo duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janar 2024, Komiteti i Përhershëm i Përfaqësuesve (COREPER II) ka dhënë miratimin e tij për propozimin më 30 nëntor të vitit të kaluar.

Tashmë çështja e liberalizimit të vizave do të hidhet në votim në Parlamentin Europian.

Ky institucion në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar datat se kur mund të ndodhë ky votim.

“Tash dosja do të shkojë në seancë plenare dhe vlerësimi aktual është se ajo do të jetë në seancën e dytë plenare të marsit ose të parën e prillit”.

Në faqen zyrtare të PE-së, seanca e dytë plenare planifikohet të mbahet më 29 dhe 30 mars, ndërsa ajo e prillit do të mbahet më 17 deri më 20.