Tre ditë pas ceremonisë së varrimit të babait, Hashim Thaçit i është lejuar ardhja në Kosovë. Gazeta Express sjell detaje ekskluzive për këtë vizitë.
Hashim Thaçi të premten paradite ka ateruar ë Prishtinë e nga aty ka shkuar drejt Burojës për të vizituar varrin e babait që vdiq të dielën që shkoi në QKUK pas një sëmundje të gjatë.
Kjo është vizita e dytë në Kosovë e Hashim Thaçit brenda një intervali të shkurtër kohor.
Ish-Presidenti i vendit ka ardhur në Prishtinë më 13 mars ku për disa orë ka qëndruar në QKUK për të vizituar babanë që po trajtohej aty, që më vonë u kuptua se ishte në ditët e fundit të jetës.
Mbrojtja e tij ka kërkuar që Thaçi të vijë për varrim të martën në Burojë, por kjo vizitë s’është aprovuar nga Gjykata. Ardhja i është lejuar vetëm pasi ka përfunduar e pamja treditëshe që është mbajtur në sallën e sporteve në Skënderaj.
I përcjellë me masa të rrepta sigurie në një veture të EULEX’it, e shoqëruar edhe nga vetura të policisë së Kosovës, Thaçi ka qëndruar në shtëpinë e familjes në Burojë për rreth 2 orë nga ku ka dalë duke përshëndetur të pranishmit me një gisht që është vërejtur brenda automjetit me xhama të errët.
Gazeta Express nga burimet të saj merr vesh se kjo vizitë është aprovuar me disa kushte specifike. Hashim Thaci sonte do të qëndrojë në Kosovë, më saktësisht brenda objekteve të EULEX’it ku nesër do ta vizitojë familja për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e babait, e më pas ai do të kthehet në Hagë.
Në rastin e Kadri Veselit, vizita ishte kryer, në kushte tjera. Ai kishte qëndruar në EULEX, por gjatë ditës i ishte lejuar të shkojë në shtëpinë e familjes në Bair të Mitrovicës.
Ndryshe, Gjykata e Hagës në një përgjigje sot për Gazetën Express ka thënë se vizita është aprovuar për “arsye bindëse humanitare.
“ Trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatë Sepciale, Michale Doyle.