Vjedhjet vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese edhe për qytetarët e Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Një rast më i freskët ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 në fshatin Peran të kësaj komune.

Të njëjtin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ani pse s’ka dhënë shumë detaje. Sipas PK-së, në një shtëpi në këtë fshat janë vjedhur stoli ari.

“Fsh. Peran, Podujevë 13.12.2019-12:30-19:15. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga shtëpia e tij janë vjedhur stoli ari. Policia e ka iniciuar dhe po e trajton rastin”, thotë PK-ja.

Pa dhënë detaje tjera, rasti në Policinë e Kosovës është cilësuar si “vjedhje e rëndë”, ndërsa s’është bërë ende e ditur vlera e dëmit.

Ndërkohë, numri i vjedhjeve në këtë komunë s’ka qenë i vogël në vitin 2019, teksa në vitin paraprak në rajonin e Llapit ndodhën 367 vjedhje, prej tyre 212 ishin të rënda./Llapi.info