Një vjedhje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 në qytetin e Podujevës, raporton Llapi.info.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në raportin e saj ditor. Sipas Policisë, në një shtëpi hajnat kanë vjedhur një pushkë gjuetie, para të gatshme dhe stoli ari.
“Podujevë 04.02.2020-21:30. Viktima mashkull K-Shqiptar ka raportuar se të dyshuar të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij, me ç’rast kanë vjedhur një pushkë gjuetie e cal. 16 mm, para të gatshme dhe stoli ari. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë PK-ja.
Pa dhënë detaje tjera, rasti në Policinë e Kosovës është klasifikuar në kategorinë e incidenteve kriminale, kurse i njëjti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.
Duhet theksuar se një kësisoj vjedhje është regjistruar edhe pak ditë më parë në këtë qytet, kurse numri i vjedhjeve në Podujevë vazhdon të jetë lartë vit pas viti.
Gjatë vitit 2019 janë regjistruar plot 361 raste të raportuara për vjedhje, statistika këto që i ka dhënë Policia e Podujevës për portalin Llapi.info. Raste të shumta ka pasur po ashtu edhe në vitin 2018./Llapi.info