Java e parafundit e muajit nëntor në qytetin e Podujevës s’ka kaluar e qetë, teksa janë regjistruar incidente të shumta e po ashtu u arrestuan disa persona për vepra të ndryshme penale, raporton Llapi.info.
Të gjitha rastet i ka konfirmuar Policia e Kosovës në raportet e saja ditore. Kësisoj, mesditën e së hënës, në këtë qytet një vjedhje e rëndë ka ndodhur. Sipas PK-së, një person ka raportuar se persona të panjohur me përdorim force kanë vjedhur disa pajisje.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se persona të panjohur me përdorim force kanë vjedhur disa pajisje. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat janë duke hetuar rastin”, ka njoftuar PK-ja, pa dhënë detaje tjera. Në njoftim, Policia e Kosovës s’ka treguar konkretisht se çfarë është vjedhur. Ndërsa, rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë” dhe i njëjti është duke u hetuar.
Ndërsa, PK-ja ka njoftuar se ndaj (shkaktarit) të një aksidenti me fatalitet në fshatin Lluzhan të Podujevës, prokurori i shtetit i ka lëshuar aktvendimin për ndalim prej 48 orëve kundër të dyshuarit mashkull K/Shqiptar shtetas i huaj. Sipas PK-së, i dyshuari për shkak të lëndimeve të marra në aksident gjendet i shtrirë në repartin e ortopedisë në QKUK nën mbikëqyrjen e Policisë. Ndryshe, në Lluzhan si pasojë e këtij aksidenti të rëndë ka humbur jetën një person dhe dy të tjerë janë lënduar.
Të martën, Policia e Podujevës thotë se ka konfiskuar një automjet dhe dy krerë lopë të cilat dyshohet që janë të kontrabanduar. Rasti është regjistruar si “kalim ilegal i kufirit dhe kontrabandim me kafshë”.
“Policia ka gjetur një kombi me targa lokale në të cilin kishin qenë dy krerë lopë të cilat dyshohet që janë të kontrabanduar. Kafshët dhe automjeti janë konfiskuar”, thuhet në raportin e PK-së.
Dy persona janë arrestuar ditën e mërkurë. Njëri për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa një tjetër për sulm ndaj një personi tjetër, rast ky i fundit që ka përfunduar edhe me të lënduar. Sipas PK-së, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, të enjten, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një i dyshuar është arrestuar në Podujevë, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht një person. Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Katër persona janë arrestuar të premten nga Policia pasi dyshohen se kishin vjedhur çantën e një vajze/gruaje në autobusin e një agjencie turistike. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në fshatin Shtedim të Podujevës, derisa çanta e vjedhur është gjetur në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve. Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë nën dyshimin se të njëjtit në autobusin e një agjencie turistike kishin vjedhur çantën e viktimës vajzë/grua Sh/Shqiptare. Në një objekt përcjellës të shtëpisë të njërit prej të dyshuarve është gjetur çanta e viktimës me gjësendet e vjedhura përveç parave dhe kartelave bankare. Me urdhër të prokurorit katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Një tjetër person është arrestuar në Podujevë, pasi që i njëjti për disa ditë me radhë kishte shantazhuar ish të dashurën në rrjetin social ‘Instragram’. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari i kishte kërkuar të holla (300 euro) ose në të kundërtën do i publikon fotografi intime.
“Podujevë, 22.11.2019-03:29. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti për disa ditë më radhë kishte shantazhuar viktimën në për mes rrjetit social Instagram duke i kërkuar të holla në shumë prej 300(treqind) € ose në të kundërtën do i publikon fotografi intime të saj pasi që i dyshuari më parë kishte qenë në lidhje me të. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar te dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thotë PK.
Për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në fshatin Siboc të Podujevës. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë./Llapi.info