Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri te qytetarët. Kështu ndodhi mbrëmjen e të premtes në Vushtrri, ku hajnat kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë kryer vjedhje, duke arritur të marrin një shumë marramendëse parash.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar dje rreth orës 21:30, ku viktima e ka njoftuar Policinë se shtëpia e tij në rrugën “Metë Miftari” ishte bërë shënjestër e hajdutëve.

Sipas deklaratës së tij, i janë vjedhur rreth 20 mijë euro të gatshme, ari në vlerë të 30 mijë eurove dhe ora në vlerë të rreth 3 mijë eurove.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa Njësia e Hetimeve të Stacionit dhe hetuesit rajonalë kanë nisur hetimet për të zbardhur rastin dhe për të identifikuar autorët.

Ndërkohë, Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për zhvillimet dhe rasti po trajtohet si “Vjedhje e rëndë”.