Përfundimi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt në Podujevë është karakterizuar me incidente të ndryshme. Brenda një javë në këtë Komunë kanë ndodhur vjedhje, rrahje e të arrestuar, raporton Llapi.info
Të hënën Policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona në Podujevë për mashtrim me viza. Sipas PK-së, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Në lidhje me rastin me datën 28.01.2019 janë identifikuar dhe janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit me pretekst të rregullimit të vizave të punës për në Gjermani kanë marrë një shumë prej rreth 5000 eurosh nga 8 viktimat meshkuj K-Shqiptarë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Një person është arrestuar në fshatin Kaçibeg, me dyshimin se ka dëmtuar derën dhe dy dritare të një xhamie. Policia e Kosovës ka bërë ditur se i dyshuari është me të meta psikike.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar (me të meta psikike), pasi që i njëjti, dyshohet me një mjet të fortë-çekan kishte dëmtuar derën e objektit fetar-xhamisë dhe kishte thyer edhe dy dritare të këtij objekti”, ka njoftuar Policia. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Të martën një person i kërkuar nga Policia është arrestuar në fshatin Dobratin. Sipas njoftimit të PK-së, i njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës. Policia ka njoftuar se gjatë arrestimit të dyshuarit në Dobratin, derisa njësitet policore kanë arrestuar një person me urdhëresë të lëshuar nga gjykata, rreth 12-13 persona kanë bllokuar rrugën.
Sipas PK-së, personat që kanë bllokuar rrugën, kanë tentuar që t’i hapin dyert e veturës zyrtare, me qëllim të lirimit të personit të arrestuar, por nuk kanë arritur dhe i arrestuari-kërkuari është dërguar në vuajtje të dënimit.
“Njësitet policore pasi kishin arrestuar një person në bazë të urdhëresës së gjykatës, rreth 12-13 persona kanë bllokuar rrugën dhe i kanë penguar zyrtarët policorë, duke tentuar që t’i hapin dyert e veturës zyrtare, me qëllim të lirimit të personit të arrestuar, por nuk kanë arritur dhe i arrestuari-kërkuari është dërguar në vuajtje të dënimit. Njëri nga të dyshuarit mashkull K/Shqiptar ka kanosur njërin nga zyrtarët policorë. Lidhur me rastin është informuar prokurori dhe njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhej në njoftimin e PK-së.
Ndërsa, një person në fshatin Llugë të Podujevës, ka njoftuar Policinë e Kosovës se persona të dyshuar i kanë depërtuar në shtëpi, me ç’ rast i kanë vjedhur një pushkë gjuetie.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se persona të dyshuar e të panjohur, kishin depërtuar në shtëpinë e tij me ç’rast i kanë vjedhur një pushkë gjuetie të prindit të tij me leje”, ka njoftuar PK.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten në rrugën “Xhemalj Mustafa” në Podujevë, tre persona janë rrahur mes vete. Sipas PK-së, njëri është therur me thikë dhe ka pranuar tretman mjekësor në QKUK.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptar pasi që ishin rrahur në mes vete . Njëri nga të dyshuarit është therur me thikë dhe ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.
Kurse, të dielën, tre persona janë arrestuar në Podujevë pasi që të njëjtit janë rrahur mes vete, pas një mosmarrëveshje fqinjësore.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Po në këtë ditë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, pasi i njëjti nuk kishte respektuar urdhrin mbrojtës të gjykatës, pasi që para gjashtë muajve ishte ndarë nga bashkëshortja e tij dhe janë në proces gjyqësor.I dyshuari vazhdimisht kishte kanosur ish bashkëshorten e tij përmes telefonit, si dhe përmes rrjetit social.Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./Llapi.info