U.d e Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milion dollarë nga USAID-i.

“Kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike”, thekson komunikata.

Tutje sic behet e ditur me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës. u.d. e Presidentes Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.

Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.