Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunën e Podujevës, për sigurinë në shkolla dhe për sigurinë në komunikacion, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Podujevë; gjendjen e sigurisë në shkolla dhe masat për ngritjen e saj, si dhe për gjendjen e sigurisë në komunikacion.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë.

Komandanti Zogiani si shqetësuese ka përmendur numrin e zjarreve të shumta të shkaktuara në pyje, gjatë muajit tetor.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në shkolla raportoi drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, i cili tha se viti i ri shkollor ka filluar normalisht në të gjitha shkollat dhe procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht.

Drejtori Blakçori tha se gjendja e sigurisë në shkolla është e mirë. Ndërsa, për një proces normal mësimor janë bërë edhe përgatitjet e duhura me investime në infrastrukturën shkollore. Ai përmendi investimet e bëra në renovimin e objekteve shkollore, rrethojat e oborreve si dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në tri shkollat e mesme të qytetit dhe në dy shkolla fillore.

Komandanti i Stacionit Policor foli për angazhimin e policisë në sigurinë e nxënësve në shkolla. Në këtë drejtim ai përmendi ligjëratat e mbajtura kundër dhunës në familje si dhe planin për ligjëratat që do të mbahen për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe dukurive të tjera negative.

Lidhur me sigurinë në komunikacion, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, tha se policia po ndërmerr masa ndaj kundërvajtësve në komunikacion. Në këtë aspekt ai tha se është shtuar numri i gjobave, veçmas për parkimin e automjeteve në hapësira publike.

Lidhur me këtë çështje dhe për masat e ndërmarra për sigurinë në komunikacion diskutuan edhe drejtori i Inspeksionit, Durim Salihu dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi.

Drejtori Salihu raportoi për masat e ndërmarra nga inspektorët e komunikacionit ndaj taksive ilegale, numrin e automjeteve të konfiskuara dhe gjobave të shqiptuara gjatë periudhës janar-shtator.

Ndërsa, drejtori Muçiqi foli për investimet dhe projektet e realizuara dhe ato të planifikuara për siguri në komunikacion, siç janë vendosja e shenjëzimit, ndërtimi i trotuareve, ndriçimi publik dhe sanimi i dëmtimit të rrugëve./Llapi.info