Amir Grima, trajneri aktual i Vllaznisë, ka reaguar ndaj akuzave të ish-mbrojtësit Adnan Haxhaj, i cili pretendonte se në Shkodër ishte keqtrajtuar, madje edhe ishte persekutuar për faktin se ishte kosovar.
“Jam njohur përmes medias për reagimin e ish-futbollistit të Vllaznisë, Adnan Haxhaj, që “vjell vrer” ndaj klubit tonë, por edhe kundër meje personalisht. Nuk më takon të flas për çështjet e akomodimit apo probleme të tjera organizative, sepse kjo nuk është puna ime. Megjithëse jam i bindur se këtij lojtari, por edhe të tjerëve nuk u ka munguar asgjë. Por para se ndalem te deklaratat e këtji futbollisti në lidhje me emrin tim, dua të sqaroj se Armir Grima nuk ka asgjë konkrete me kosovarët. Përkundrazi, unë vetë kam luajtur një vit e gjysmë në Kosovë dhe jam ndier gjithnjë si në shtëpinë time. Kam shumë miq që vijnë tek unë dhe shkoj unë tek ata. Kemi krijuar një afrimitet dhe miqësi të madhe me njeri-tjetrin. Këtë e them për të treguar se nuk kam asgjë me kosovarët”.
Pasi ka sqaruar pozicionin e tij social, trajneri i shkodranëve Grima, në rolin e një specialisti ka bërë edhe portretin sportiv të ish-mbrojtësit Haxhaj, duke e vlerësuar atë si një futbollist mjaft të dobët, që nuk arrinte as parametrat e një të riu të akademisë shkodrane.
“Sa për lënien në stol të Haxhajt, apo jashtë 18-shes dhe dërgimin e tij për të luajtur tek ekipi B i Vllaznisë, kjo ka ndodhur prej formës së tij. Aq ka dhënë ky futbollist në fushën e lojës, por edhe në stërvitje. Ka lënë shumë për të dëshiruar. Atij i është dhënë mundësia për të treguar vlerat e tij, por në fakt ishte një dështim i plotë. Me plot gojën e them se Adnan Haxhaj mund të jetë ndër futbollistët më të dobët që na kanë ardhur te ne, këtu u referohem atyre prurjeve nga jashtë kampionatit shqiptar. Një mbrojtës, i cili nuk kishte nivelin as të futbollistëve të ardhur nga akademia jonë dhe, për këtë arsye, ai u la në stol. Më pas, u ra dakort të ndërpritej kontrata, sepse vetë ai e shihte veten të tepërt. Nuk kishte se çfarë t’i jepte më Vllaznisë. Unë i uroj suksese në karrierën e tij të mëtejshme, kudo që të luajë. Por e përsëris, nuk ishte futbollist për Vllaznisë”, ka deklaruar trajneri i shkodranëve Armir Grima, raporton “Panorama Sport”, transmeton Llapi.info.