Mbrëmë rreth orës 22:00, policia në Ferizaj ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje në fshatin Dremjak.

Sipas njoftimit nga policia, nga hetimet e para rezulton se pesë persona, dy të rritur, A.H. (24 vjeç) dhe A.H. (20 vjeç), si dhe tre të mitur – dyshohen për kryerjen e vjedhjeve në dy shtëpi dhe tentativën për vjedhje në një tjetër.

Nga njëra shtëpi dyshohet se janë vjedhur rreth 10,000 euro para të gatshme. Nga një shtëpi tjetër janë vjedhur 40 litra derivate nafte nga një eskavator.

Gjatë operacionit policor, dy të rriturit dhe njëri nga të miturit, E.S. (16 vjeç), u arrestuan në vendngjarje, ndërsa dyshohet se dy të miturit e tjerë kanë arritur të largohen dhe janë ende në kërkim.

Provat e sekuestruara nga policia:

Një veturë,
Një thikë,
Dy kapela në formë maskash,
Tre bidonë të mbushur me naftë,
Katër telefona celularë,
Mbi 1,000 euro para të gatshme.

Gjatë intervistimit, të dyshuarit madhorë, në prani të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare, pranuan se kanë kryer vjedhje të derivateve të naftës, si dhe deklaruan se gjatë muajit mars 2025 kanë kryer edhe vjedhje të tjera në fshatrat Kosinë, Mirosalë dhe Mirashë të Ferizajt. Këto vjedhje dyshohet se janë realizuar kryesisht në orët e mbrëmjes, duke përdorur një automjet të tipit Audi, ngjyrë e bardhë, në pronësi të dyshuarit A.H. (24 vjeç).

I mituri i arrestuar është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit.

Me vendim të prokurorit të shtetit, tre të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje – dy të rriturit për 48 orë dhe i mituri për 24 orë. Hetimet vazhdojnë për arrestimin edhe të dyshuarve të tjerë për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve të kryera nga ky grup në Ferizaj