Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës F. J. në kohë zgjatje prej 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
E akuzuara F. J. shqiptare, shtetase e Republikës së Kosovës, ka punuar si këshilltare për klientë në një bankë vendore dhe gjatë periudhës kohore 2008 deri 2010, ka vënë në lajthim klientët dhe ka dëmtuar bankën. Ajo ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit.
Shuma që ka shkaktuar dëm e akuzuara kap shifrën e 100.399 (njëqindmijë e treqind e nëntëdhjetenëntë) euro.
Pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës, trupi gjykues për katër dispozitivë të aktakuzës ka shqiptuar një dënim unik prej dy vite e gjashtë muaj burgim.
Po ashtu, të akuzuarës i ndalohet ushtrimi i profesionit në veprimtari financiare në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjet, afat i cili do të fillojë të rrjedhë pas vuajtjes së dënimit me burg.
Detyrohet e akuzuara që të dëmtuarës, në këtë rast Bankës NLB Prishtinë, në emër të kërkesës pasurore juridike të kompensojë shumën e cekur më lart.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.