Të gjetura dhe shkelje të shumta ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditmit për Komunën e Podujevës. Komunës së udhëhequr nga Agim Veliu duket se nuk i kanë mjaftuar shkeljet dhe rekomandimet e Auditorit për vitet paraprake, njofton Llapi.info.
Madje, kjo Komunë ka bërë shkelje të tjera, kështu duke i vonuar tejmase disa projekte.
Sipas Zyrës së Auditorit, kontrata është marrëveshje detyruese mes palëve sipas së cilës krijohen detyrime dhe të drejta për palët nënshkruese.
Auditori ka gjetur se për asfaltimin e rrugëve në Balloc kontrata ishte për 25 ditë, ndërsa ka përfunduar për gati një vit.
“Gjatë testimit të pagesave kemi identifikuar vonesat në realizim të projekteve si në vijim: Kontrata “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Ballofc”me vlerë 68,966€ ishte nënshkruar me datë 20.11.2017 dhe sipas kontratës data e përfundimit e të gjitha punëve do të jetë 25 ditë kalendarike. Kontrata ka përfunduar në muajin nëntor 2018 ose rreth një vit vonesë. Sipas menaxherit të projektit vonesat kanë ndodhur për shkak të problemeve pronësore si dhe kushteve atmosferike”, thuhet në raport.
Përveç në projektet infrastrukturore, Podujeva ka vonuar projektet edhe në shërbime shëndetësore.
“Kontrata “Blerja e dy ambulancave për bartjen e pacientëve me hemodializë” në vlerë 59,900€ ishte nënshkruar me datë 26.09.2018 dhe sipas kontratës afati i liferimit të ambulancave ishte brenda 45 ditëve kalendarike. Liferimi është bërë me datë 28/01/2019 ose me 78 ditë vonesë nga OE. Komuna nuk ka aplikuar penale ndaj OE për vonesa”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.
Sipas ZKA-së, rreziku te mosrealizimi i projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontraktuara, dhe fillimi i punimeve pa zgjidhur problemet pronësore, ndikon në tej zgjatjen e realizimit të projekteve, mbi të gjitha dëmton perceptimin e qytetarëve ndaj komunës.
“Kryetari duhet të siguroj se para fillimit të procedurave, të janë planifikuar projektet në tërësi, të zgjidhen të gjitha çështjet pronësore, në mënyrë që të mos ketë ngecje të projekteve dhe raportimin dhe aplikimin e ndëshkimeve në rast të vonesave të paarsyetuara”, ka rekomanduar Auditori kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu./Llapi.info