Më 26 mars, Hilmi Dërmala nga Rahoveci, kishte dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më i gjallë.
Djemtë e tij, janë ankuar për mungesën e mjekëve ne vendin e punës ditën që babai i tyre ndërroi jetë.
Sipas tyre, 72 vjeçari kishte shkuar në Qendrën Emergjente të Mjekësisë Familjare në Rahovec rreth orës 06:40 të mëngjesit.
Por, pasi doktori Albion Haxhijaha i kishte dhënë një injeksion, e kishte lënë pacientin nën përkujdesjen e teknikut, raporton T7.
Ky i fundit e dërgoi pacientin në objektin tjetër ku nuk kishte asnjë mjek.
Mjeku Albion Haxhijaha, nuk është prononcuar me arsyetimin se ka dhënë deklaratë para dy muajsh.
Por, një vendim i Komisionit Disiplinor të cilin e ka siguruar Frontal, thotë se Haxhijaha ka shkelur rregulloren e rendit shtëpiak, Ligjin e Punës dhe ka bërë shkelje profesionale mjekësore.
“Punëtori obligohet që të mos e lëshojë orarin e punës gjersa të vjen punëtori i ndërrimit tjetër, duke pritur më së shumti 15 minuta, nëse punëtori nuk vjen të njoftohet eprori i shërbimit të caktuar, shefi apo kryeinfermierja. Në këtë rast Dr. Albion Haxhijaha ka lëshuar pacientin Hilmi Dërmala të vetëm me teknikun”.
Në anën tjetër, mjeku që atë ditë ishte vonuar në punë, thotë se nuk ndjen përgjegjësi profesionale.
Edhe këtij komisioni i ka shqiptuar vërejtje me shkrim, ani pse ky thotë se nuk e ka marrë një të tillë.
Por, për Drejtorin e QKMF-së, Jusuf Korenica, nuk ka arsyetim për vonesat.
E për këtë arsye, vëllezërit Dërmala i kanë drejtuar një ankesë Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi thotë se rasti është mbyllur, pasi që familja ka kërkuar që rasti të mos shkojë në polici.
Në vendimin e Komisionit Disiplinor, theksohet se atë ditë ka pasur nga personeli mjekësor që janë vonuar deri 25 minuta.
Për këtë arsye, 3 mjekëve dhe 2 teknikëve u është shqiptuar masa disiplinore vërejtje me shkrim.