Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka hedhur votën e tij në shkollën “Ilir Konushevci” në fshatin Llugë, raporton Llapi.info.
Bulliqi ka ftuar qytetarët të dalin dhe të votojnë për të ardhmen, derisa ka ftuar edhe menaxherët e shkollave, komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve ta bëjnë punën e tyre me korrektësinë më të madhe.
“E dhashë votën për të ardhmen e qytetarëve të komunës sonë. I ftoj qytetarët që masovisht të votojnë për të ardhmen, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre legjitime dhe sigurisht të votojnë për të ardhmen e tyre. Sot është një ditë e veçantë, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, si gruaja si burri, si pasuri e si i varfëri, pesha e tyre e votës është e barabartë. Ftoj të gjithë qytetarët, menaxherët, stafin mbështetës, vëzhguesit dhe komisionerët që ta bëjnë punën e tyre me korrektësinë më madhe, dhe njëkohësisht është në interes të përgjithshëm që këto zgjedhje të shkojnë në mënyrën më të mirë. Të zgjidhjet ai i cili me të vërtetë e meriton, në mënyrën demokratike, pa pasur asnjë lloje telashe gjatë këtij procesi zgjedhor. Në numër sa më të madh që të dalin qytetarët, e rrisin legjitimitetin e kryetarit të ardhshëm të Podujevës”, ka thënë Bulliqi.
Në zgjedhjet e sotme në komunën e Podujevës janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku kanë të drejtë 87 mijë e 381 persona./Llapi.info