Pasditën e djeshme u trondit vendi pasi një grua 35-vjeçare shtatëzënë dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.

Këtë akt e dënoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka njoftuar se sot do të mblidhet edhe grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.

“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!

Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët.

Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë.

Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur.

Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Ministrja Haxhiu u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka kërkuar dënim meritor për kryersin e kësaj vepre.