Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe të bijës së saj në Gjakovë, nga kryefamiljari.
Ky rrjet thotë se është indinjuar nga papërgjegjësia e organeve të rendit dhe sigurisë dhe se është i shqetësuar për mosinteresimin për jetët e grave dhe vajzave në Kosovë.
“Të indinjuara nga papërgjegjësia e organeve të rendit dhe sigurisë, të shqetësuara nga mos interesimi për jetët e grave dhe vajzave në vendin tonë, të tmerruara nga vrasjet makabre që po u bëhen grave dhe vajzave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i bën thirrje shoqërisë kosovare Mjaftë më me Vrasjen e Grave dhe Vajzave”, thuhet në reagim. “Mjaftë më me arsyetimin e dhunës, mjaftë më me tolerimin e dhunës, mjaftë më me lirimin e dhunuesve, mjaftë më me dështime në prurje të drejtësisë dhe në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës”.
RrGK thotë se në rastin e fundit, sipas burimeve të veta, vrasësi ishte në paraburgim në maj të këtij viti për ushtrim të dhunës në familje ndaj të ndjerës, për “Lëndim të Lehtë Trupor”.
“Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për historikun e tij prej krimineli, përderisa gjykata e kishte liruar pas një muaji mbajtje paraburgim. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dënimi minimal për këtë vepër penale është 3 muaj deri në 5 vjet burgim”, shkruan RrGK. “Lirimi i tij ka dërguar në vrasjen e gruas dhe të vajzës. RrGK beson, që në rast se i njëjti do të ishte dënuar paraprakisht, sot nuk do të shkruanim këtë reagim dhe një grua e një fëmijë do të ishin në jetë. Në ditën e vrasjes, e ndjera kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që i kishte pranuar nga tashmë vrasësi i saj, por siç u raportua në media, policia kishte dështuar ta kontaktoj atë”.
Në fund RrGK thotë se është koha e fundit që të reagohet ndaj vrasësve të grave dhe vajzave.
“Është më se e rëndësishme të vihen para drejtësisë kryesit e dhunës. Është më se e rëndësishme që institucionet përgjegjëse dhe individë që veprojnë në këto institucione të marrin ndëshkimin e duhur nga shoqëria. Ndëshkim moral dhe ndëshkim ligjor për mbrojtësit e vrasësve, për mirëmbajtësit e rendit patriarkal, për të cilët jeta e grave dhe e vajzave nuk ka kurrfarë vlere”, thuhet në fund të reagimit të RrGK-së.