Një polic raportohet të jetë vrarë dhe një tjetër plagosur në Loznicë të Serbisë, mbrëmë pas mesnate.

I dyshuar për këtë rast tashmë është Faton Hajrizi, i cili është arratisur para rreth 2 javësh nga burgu i Smrekonicës.

Si i dyshuar u përmend dhe vëllai i tij Artani, i cili u deklarua për mediat në Kosovë dhe tha se vëllai i tij Fatoni ia ka vjedhur dokumentet e tij personale.

Lidhur me këtë, ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova se ka organizuar vrasjen e policit serb.

“Vrasjën e policit serb në territorin e Serbisë, nuk e ka organizuar Kosova. Kosova ka institucionet e sigurisë që realizojnë misionin në parime të shtetit ligjor dhe demokratik, pra edhe shërbimi inteligjent i saj”, shprehet ai.

Ish koloneli i reagon Ivica Daçiqit duke i thënë se Kosova s’bën akte të tilla, duke e pyetur se cilin rol të filmit episodik jugosllav po e luajnë.

“Zoti Daçiq sikur ta bënte Kosova, që kurrë s’do të bëjë të tilla akte, sigurisht s’do të ishte polici rrugor i juaji. Na tregoni se cilin rol të filmit episodik jugosllav po e luani, Tihi apo Përrlle? Otpisani apo povratak otpisani?! Nuk luhen më filma të tillë në shekullin 21”, deklaron Veseli.