Ende mbeten të paqarta rrethanat se si u vra punonjësi i AKI’së, Isa Sejdiu, nga kolegu i tij Valon Ibërdemaj. Edhe një javë pas ngjarjes institucionet e hetuesisë në vend nuk kanë arritur që ta zbulojnë motivin e kësaj vrasjeje në institucionin më të lartë të sigurisë në vend. Në prokurori thonë se hetimet po vazhdojnë. Express ju sjellë detaje të reja rreth kësaj vrasjeje. Ndërkohë që kreu i AKI’së, Shpend Maxhuni nesër pritet që të raportojë në komision rreth kësaj ngjarjeje.
Familja e Isa Sejdiut, 38 vjeç, nga Vushtrria ende nuk po e dinë se përse u vra djali i tyre. Edhe një javë pas, institucionet e hetuesisë në vend nuk kanë arritur që ta zbulojnë arsyen e vrasjes së Isasë. Ai të martën e katër shtatorit u qëllua për vdekje me dy plumba u qëllua nga kolegu i tij i punës Valon Ibërdemaj. Ky i fundit pak minuta pasi që e kreu aktin u arrestua nga policia e Kosovës.
Por para se të arrestohej Ibërdemaj përveç vrasjes së Isasë tentoi që t’i marrë me vete edhe dy pengje, punonjës të AKI’së, përmes së cilëve do të mund të arratisej. Por tentimi i tij për t’u larguar nga vendi i ngjarës dështoi. Ai u kap po atë ditë nga policia.
Gazeta Express, nga burime të saja brenda AKI’së merr vesh se Ibërdemaj për një kohë kishte qenë agjent në AKI. Por sjelljet e tij jo korrekte në punë, kanë bërë që zyrtarë të AKI’së që disa muaj Ibërdemajt t’ia ndërrojnë pozitën nga agjenti për në sigurim.
“Qe disa muaj ai punonte si sigurim. Ka qenë më herët agjent. Nuk e dimë për vrasjen pse ndodhi. Nuk kanë pas raporte të këqija”, thonë burimet e Express rreth kësaj ngjarjeje.
Por rreth gjithë kësaj pune nuk janë të njoftuar nga prokuroria e shtetit. Ndonëse këta të fundit ka një javë prej se i kanë nisur hetimet rreth kësaj ndodhie. Ibrahim Berisha, zëvendës kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë të martën për Express se hetimet po vazhdojnë dhe se nuk kanë ndonjë njohuri rreth profilit të personit të dyshuar, Valon Ibërdemajt, për vrasjen e kolegut të tij nga AKI, Isa Sejdiut.
Të gjitha këto informacione, Berisha thotë se do t’i shikojnë derisa të caktohet prokurori i cili do të ngarkohet me këtë lëndë. E kjo pritet që të ndodhë shumë shpejtë.
“Ende nuk kemi asnjë të re. Hetime pritet që sot ose nesër t’i marrë prokurori i ri i cili do të ngarkohet me këtë lëndë”, i tha Expressit prokurori Ibrahim Berisha.
Ibërdemajt me kërkesë të prokurorisë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai nuk ka dashur që të flasë para trupit gjykues duke zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Ndërkohë i janë sekuestruar një armë dhe vetura personale.
E për të marrë më shumë detaje se si ndodhi ky rast, Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkojë llogari nga përgjegjësit e këtij institucioni për ngjarjen tragjike që ka ndodhur brenda objektit.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk mund të deklarohet rreth vrasjes që ka ndodhur në këtë institucion, pasi është në pritje të raportimit të inspektorit.
“Të mërkurën e kemi mbledhjen e Komisionit Parlamentar, ku kemi ftuar inspektorin për të na raportuar për ngjarjet që do të zhvillohen dhe pika e parë e rendit të ditës do të jetë kjo temë. Derisa të përfundojë mbledhja nuk mund të shtoj asgjë rreth këtij rasti”, është shprehur Musliu.
Nga familja e viktimës, Isa Sejdiut thonë se nuk i dinë arsyet që quan në këtë vrasje. Ata ditë më parë për Express, kanë treguar se familjari i tyre asnjëherë nuk ua ka shprehur ndonjë shqetësim.
“Ne ende nuk i dimë arsyet e kësaj vrasjeje. Isa si çdo ditë tjetër edhe dje shkoi në punë. Nuk e dimë se si e vrau apo pse e vranë Isanë”, deklarohen familjarët.
Megjithëkëtë, për vrasjen që ka ndodhur dje brenda ndërtesës së Agjencisë së Inteligjencës Kosovare këta të fundit e kanë dhënë vetëm një sqarim të shkurtër. E kanë mohuar që rasti të ketë pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Por, e konfirmojnë se mbi viktimën shtiu një zyrtar i sigurimit të brendshëm.