Vrasje, përleshje me armë e plagosje janë raportuar nga policia vetëm në 24-orëshin e fundit në Kosovë.
Në fshatin Bresalc të Gjilanit, mbrëmë rreth orës 23:45 ka mbetur i vrarë Fatlind Arifi, 22-vjeçar. I dyshuari kryesor sipas policisë është Liridon Uruqi, i njohur për të kaluarën e tij problematike.
Ai është arrestuar sot, e lajmi u bë i ditur për lajmi.net nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ndërsa, mbrëmë policia tha se kishte arrestuar edhe vëllaun e të dyshuarit kryesor, Sh.U.
Megjithëkëtë, një person tjetër ka mbetur i plagosur në gju mbrëmë rreth orës 22:37 , pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin në Prizren.
Policia në lidhje me rastin ka arrestuar personin i cili dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të viktimës, ndërkaq që të njëjtin e ka dërguar në mbajtje.
Hiç më mirë nuk kaluan as dy persona në Pejë, të cilët sot rreth orës 01:10 pasmesnate, mbetën të plagosur pas një zënke në një nga lokalet e natës në qendër të këtij qyteti.
Policia për lajmi.net ka konfirmuar rastin ku ka njoftuar se tre persona janë në kërkim.
Lajmi.net ka siguruar një video nga momenti i përleshjes në diskotekën e quajtur “Arthurs Club” në Pejë.
Armë zjarri është përdorur edhe pas një zënke në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy të dyshuar meshkuj pas një zënke, janë përleshur fizikisht në mes veti.
Njëri nga të dyshuarit gjatë përleshjes kishte përdorur një armë zjarri me të cilën kishte shtënë, por nuk kishte lënduar askënd.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, 2 fishek dhe 3 gëzhoja. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 03:10.
Ndryshe, Policia ka bërë të ditur që vetëm në 24 orëshin e fundit janë arrestuar gjithësej 14 persona për incidente të ndryshme në tërë territorin e vendit.