Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vënë një tufë me lule te vendi ku është vrarë politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicë.
Pas kësaj, ai ka dhënë një deklaratë rreth pengimit të tij që të vizitojë fshatin Banjë të Skenderajt, i banuar nga komuniteti serb.
Për bllokimin e rrugëve nga qytetarët e Drenicës, Vuçiq ka bërë përgjegjës “Prishtinën zyrtare”.
“E qartë që pas kësaj bllokade qëndron Prishtina zyrtare”, ka thënë presidenti serb, transmeton KALLXO.com.
Ai ka kritikuar edhe KFOR-in për mosrealizimin e vizitës së tij në Drenicë.
“KFOR ka mundur edhe me helikopter ta organizojë transportin, por janë arsyetuar se nuk kanë leje nga Napoli”, tha Aleksandar Vuçiq në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë.
Lidhur me bllokimin e rrugëve me dru e goma në rrugën për në Banjë nga qindra qytetarë të Skenderajt, Vuçiq ka thënë se “porsi fëmijë të vegjël të foshnjores, kanë lozur, kanë ndezur goma dhe kanë shtënë në ajër”.
Para pak minutash, KFOR tha se askush nuk është duke e kërcënuar presidentin serb dhe se siguria e tij është e garantuar.