Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas një dokumenti të publikuar mbrëmë e që pretendohej se është “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, “si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale”.

Vuçiq, ka thënë se dikush “shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai” doli me këtë letër për Kosovën e Serbinë.

Ai shtoi se ai është dikush që i njeh marrëdhëniet në Ballkan.

“Unë e lexova atë në një e gjysmë të natës së kaluar kur u ktheva nga Brukseli, ajo letër është e përgatitur nga dikush që është shumë më i zgjuar shumë më dinak se unë. Unë shoh që të gjithë e mohojnë, por kjo letër më bëri shumë më shumë të shqetësuar sesa e para”, tha ai.

Vuçiq tha se çështja më e tmerrshme në atë dokument është njohja e Kosovës së pavarur.

“Një gjë kryesore është në atë letër – është njohja e Kosovës së pavarur, gjë që është e tmerrshme – aty janë 90 përqind e gjërave që nuk janë të rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme na shkon neve”, citohet të ketë thënë ai.

Siç tha ai, rreth 50 njerëz në botë po merren me çështjen e Kosovës dhe dyshojnë për një person.

“Ajo është një grua fantastike e zgjuar, sepse mendoj se askush tjetër nuk mund ta përgatiste këtë dokument”, tha ai, duke shtuar se motivet politike ende nuk janë diskutuar.

Dokumenti të cilin e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”, thekson se veriu i vendit duhet të jetë një Rajon Autonom dhe po ashtu në këtë letër theksohet edhe krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Në këtë dokument theksohet Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.

Distrikti Autonom i Kosovës Veriore, sipas këtij dokumenti do ta përfshijë territorin e qytezave të Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, Mitrovicës Veriore dhe zonave të ngjitura kadastrale dhe Zubin Potokut me 63 fshatrat e tij./Reporteri