Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur ekskluzivsht për statusin aktual të dialogut me Kosovën.
Vuçiq aty ka thënë se që prej momentit të parë kur ai ka ardhur në postin e presidentit, detyrë e tij ka qenë që të merret më çështjet më të vështira për Serbinë, e njëra ndër to sipas tij është pikërisht çështja e Kosovës.
“Që prej momentit të parë kur kam ardhur në detyrë, nuk kam dashur që pesë vjet t’i shpenzojë duke u ulur në karrige dhe të mos bëj asgjë. Kam thënë se do të mirremi me problemet më të vështira. Dhe njëra ndër to është edhe Kosova. Nuk kam premtuar asnjëherë një zgjidhje jo të dhimbshme me Kosovën. Nuk ekziston një e tillë dhe nuk do të ekzistojë”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Tutje, Vuçiq ka akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e Brukselit, duke nënvizuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Vuçiq ka paralajmëruar madje se nëse Prishtina nuk e formon Asociacionin, atëherë serbët do të marrin vetë në dorë veprimet e tyre.
“Ne na janë mohuar shumë të drejta për shkak të mos krijimit të Asociacionit. Çka mbetet për të bërë më tutje nga serbët? Njëra rrugë është që nëse serbët marrin vetë në dorë veprimet e veta, mirëpo në anënë tjetër e dijmë që do të kishte veprime të njëanshme të Prishtinës” , ka thënë Vuçiq.
Sipas Vuçiq, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë sa më shpejtë deri tek marrëveshja, e cila do t’i siguronte serbëve dhe shqiptarëve paqe afatgjatë.
“Ne duhet të arrijmë paqe afatgjatë mes serbëve dhe shqiptarëve. Kur një paqe e tillë të jetë arritur, atëherë ne lirisht mund të kthejmë kokën kah zhvillimi ekonomik. Gjithashtu imazhi i Serbisë në syrin e botës do të ndryshonte”, ka shtuar Vuçiq.
Vuçiq tutje e ka cilësuar si shumë të suksesshëm dialogun me Kosovënm, duke nënvizuar se të dy vendeve u nevojitet një zgjidhje racionale dhe e kuptueshme për të gjithë.
Sipas tij, Serbia duhet ta bëjë të qartë rrugën e saj.
“Duhet ta bëjmë të qartë. Ta shohim se a do të luftojmë për territor, apo t’i shohim gjërat në një këndvështrim tjetër”, ka deklaruar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë po ashtu për herë të parë e ka pranuar se Kosova dhe Serbia janë largë arritjes së një marrëveshjeje.
“Jemi larg arritjes së një marrëveshjeje, por ne duhet të vijmë me sugjerime dhe histori për arritjen e një kompromisi. E kam vërejtur se shumë pak njerëz në Serbis dëshirojnë një zgjidhje kompromisi”, ka thënë tutje Vuçiq.
Vlen të theksohet se konferenca e Vuçiq është përcjellur me interesim shumë të madh gjithandej shtetit Serb.