Pasi detyrohet t’i largojë barrikadat, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në mënyrë tashmë të njohur nga të gjithë, i drejtohet publikut serb nëpërmes të medias që është në shërbim të tij, “TV Pink”, duke pretenduar se “ka arritur një sukses të madh” në negociata me KFOR-in, dhe njëkohësisht duke përdorur frazat nacionaliste të shekullit të kaluar se si për të “Kosova është Serbi”, “Perëndimi është armiku i Serbisë sepse nuk e respekton rezolutën 1244”, e falënderon Rusinë për mbështetje, e kështu me radhë.
“Për herë të parë kemi diçka që nuk i referohet palës shqiptare dhe NATO-s. Deri më tani kemi qenë të lidhur me dokumentin që është nënshkruar në mes të KFOR-it, gjegjësisht Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, dhe nga ana tjetër, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi”, ka thënë Vuçiq, transmeton Paparaci.
“Sot për herë të parë fituam diçka si burimin e parë të së drejtës që nuk vlen vetëm për këto dy palë, por që përcakton qartë detyrimet e KFOR-it – atë që pa pëlqimin e tyre, “por edhe të komunitetin lokal serb” dhe në të vërtetë “pa pëlqimin e Serbisë” nuk mund të ketë prezencë të FSK-së në veri.
Për herë të parë kemi një vendim që nuk është vetëm drejtpërdrejt ndërmjet palës shqiptare dhe KFOR-it, shtoi Vuçiq.
Cila është alternativa e gjithë kësaj?
“Të vrasim të gjithë njëri-tjetrin dhe njëkohësisht për herë të parë nuk ikëm, nuk u fshehëm. Nga i gjithë shtabi i përgjithshëm e deri te gjithçka tjetër, ne jemi plotësisht të gatshëm të ndihmojmë njerëzit tanë”.
Megjithatë, ai pretendon se do të presë dhe do të pranojë çdo vendim dhe barrë edhe pse “nuk është përgjegjës” për shumë gjëra.
“Doli që gjithë këtë e bëra unë, kështu që nuk ka problem. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë. Unë jam zgjedhur nga qytetarët e Serbisë. Për mua “Kosova dhe Metohia” është Serbi dhe nuk do të jetë kurrë gjë tjetër. Ata janë vëllezërit, motrat e mia dhe unë do të vazhdoj të luftoj për ta, kështu që çfarëdo që të ndodhë le të ndodhë”.
Nga ana tjetër, duke folur për Perëndimin, thotë se këta janë njerëzit që nuk e respektojnë rezolutën 1244, por edhe njerëzit që bombarduan Serbinë dhe “shkatërruan këtë vend”.
“Unë flas me ta sepse me kë të flas pasi fuqia e tyre është në Kosovë. Gjithmonë do të them – faleminderit Rusisë për mbështetjen që na ofron, por forcat e tyre nuk janë në terren. Ata u tërhoqën, por faleminderit, faleminderit për mbështetjen tuaj politike. Faleminderit të gjithëve!”, ka thënë Vuçiq./Paparaci