Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, gjatë ditëve të ardhshme do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të huaj mbi problemin me Kosovën.

Sipas “Blicit” serb, Vuçiq nuk pret lajme të mira, por gjithsesi është i përgatitur për dialogun dhjetëditësh me Përendimin.

Sipas kësaj gazete, Vuçiq “do të tentoj të gjejë rrugë të reja për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën” në këtë dialog, transmeton lajmi.net.

“Bisedimet nuk do të jenë të lehta, por ato janë shumë të rëndësishme për shtetin e Serbisë që të jetë një hap më afër zgjidhjes së problemit, ne do të shkojmë të pajisur me dokumente shtesë, me të cilat do të tentojmë të bindim bashkëbiseduesit për paligjshmërinë e argumenteve të Prishtinës” i ka thënë një burim “Blicit” serb.

Në të njëjtën kohë, gazeta “Danas” raporton se brenda 15 ditësh Vuçiq do të fillojë siç e quajnë ata ofensivën diplomatike.

Sipas tyre, hapi i parë i kësaj ofensive është kryer, dhe ai ishte biseda e Vuçiq me diplomatin amerikan Matthew Palmer, i cili është pasues në pozitën e Brian Hoyt në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Siç raportohet, pas këtij takimi nuk do të ketë adresim të drejtpërdrejtë për detajet e bisedimeve.