Deklarata e nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hoti, e dhënë për lajmi.net ka shkaktuar reagime të mëdha në Serbi.
Madje gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe vetë presidenti serb, Aleskander Vuçiq, shkruan lajmi.net.
Hoti në intervistën e dhënë për lajmi.net pretendonte se nëse synohet ndarja e Kosovës, atëherë Kosova do të duhej të merrte Luginën dhe pjesën e saj në Sanxhak.
“Ndarja nuk është në rend të ditës. Në të kundërtën nuk mund të ndodh ndarja pa e marrë Kosova Sanxhakun, pjesën e saj në Serbi dhe Sanxhakun, pjesën e saj në Mal të Zi. Nuk mund të ndodh ndarja re Kosovës pa e marrë Kosova luginën e Preshevës. Nuk mund të ndodhë ndarja pa u shkëput Vojvodina prej Serbisë. Siç mund të shihet janë disa aspekte të vogla që e komplikojnë ndarjen e Kosovës”, deklaroi Rexhep Hoti.
E duke i’u përgjigjur Hotit, Vuçiq është shprehur mjaftë ironik.
“A mendojnë ata që Vojvodina, Beogradi apo Shumadija janë të përfshira…ta pyesin Orbanin(kryeministri i Hungarisë) nëse ai do ua japë Kesckemetin(qytet në Hungari), çfarë mund të ju them, sigurisht që po bëj shaka”, u shpreh Vuçiq.
E ky nuk ishte reagimi i vetëm në Serbi ndaj deklaratave të Hotit.
Të gjitha mediat e Beogradit dje e kanë cituar këtë deklaratë, duke e vlerësuar si kërcënim të Kosovës.
Ndaj intervistës së nënkryetarit të PDK-së reagoi edhe Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi.
Drecun theksoi se fjalët e Rexhep Hotit dëshmojnë se synimi i shqiptarëve është krijimi i Shqipërisë së Madhe.
“Pa marrë paraysh se sa duken joserioze, kjo tregon qëllimin e shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë së Madhe”, u shpreh dje Drecun.
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga e ashtuquajtura zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e udhëhequr nga Marko Gjuriq.