FC Vushtrria ka reaguar në lidhje me incidentin me tifozët që ndodhi në ndeshjen e barazhit ndaj Malishevës, ndeshje kjo e cila u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Klubi vushtrrias ka kërkuar falje publike ndaj klubit llapjan, derisa në komunikatë thuhet se këto akte ne i dënojnë ashpër.

“KËRKIM FALJE! Mbrëmë në mbledhjen e mbajtur nga kryesia e klubit në lidhje me rastin e së Shtunës me 28 Maj në ndeshjen e barazhit kundër KF Malishevës ne si klub kishim marrë të gjitha masat që gjithkah të shkonte sipas planifikimeve që kishim bërë, gjatë gjithë javës jemi koordinuar dhe kemi punuar ngusht me të gjitha palët e përfshira në organizim, KF Llapin njëherit e faleminderojmë për mikpritjen, si dhe organeve të FFK-së për organizmin e shkëlqyer, mirpo në minutën e 76-të për një moment ndodhi një situatë të cilën ne e dënojmë ashpër ku u hodhën ne fushë karrika dhe gjësende te tjera, dhe sharje në kor nga tifozë tanë ne drejtim të FFK-së. Këto akte ne i dënojmë ashpër duke kërkuar falje publike kryesisë së KF Llapit dhe Federatës se Futbollit të Kosovës dhe gjithë sportdashëseve”, ka shkruar klubi në Facebook.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se këto gjëra, sipas tij, ndodhin në futboll. Ai ka shtuar se ka mbetur i befasuar me atmosferën e krijuar nga këta tifozë.

Në një bisedë për Gazetën Nacionale, trajneri i Llapit, Tahir Batatina e kishte marrë me qetësi incidentin e ndodhur duke thënë se FFK do ta paguajë, ndërsa i uroi suksese klubit të Vushtrrisë në sezonin tjetër.

Po ka qenë një veprim nga tifozët që vërtet e donin klubin, pati një shpërthim të emocioneve prandaj nuk duhet të jetë shumë e madhe. Unë kam mbetur i befasuar nga tifozëria e Vushtrrisë dhe nuk është ndonjë gjë e madhe. Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se do e rregullojë këtë situatë, prandaj unë vetëm i uroj suksese Vushtrrisë që edicionin tjetër të promovohen në Superligën e Kosovës”.

Batatina pastaj zbuloi se dëmi i shkaktuar nga tifozët e Vushtrrisë kap vlerën e 5 mijë e 500 eurove.

Dëmi shkon aty afër 5 mijë e 500 euro dhe FFK do ta paguajë, pasi nuk është ndonjë vlerë aq e lartë edhe që ndikon në buxhetin e tyre”, tha ai./Llapi.info