Lëvizja Vetëvendosje dega në Podujevë sot ka ndërmarrë një aksion me biçikleta qëllimi i së cilës është vetëdijesimi dhe promovimi i çiklizmit, raporton Llapi.info.

“Jemi mbledhur si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje- Qendra në Besianë, për një rrugëtim relaksues, të shëndetshëm dhe vetëdijesiues me biçikleta. Qëllimi i këtij organizimi është promovimi i sportit të çiklizmit, mënyrë kjo e udhëtimit e cila është jo shumë e shfrytëzueshme në komunën tonë, edhe pse ne vazhdimisht dëgjojmë dhe themi që vendi ynë është listuar ndër vendet më të pa pastërta në botë e që një ndër shkaqet kryesore është përdorimi i veturave si mjet primar i udhëtimit”, tha drejtuesi i nënkomitetit për Rini dhe Sport të VV- së, Gramos Latifi.

Sipas VV- së mungesa e shtigjeve për biçiklistë po e rrezikon jetën e qytetarëve.

“Të gjithë ne e pëlqejmë çiklizmin e po ashtu e shohim si më të arsyeshëm udhëtimin me biçikletë për në punë, shkollë, e gjetiu. Ky udhëtim na bëri që të identifikojmë mungesën e shtigjeve për çiklistë, gjë e cila na pamundëson një udhëtim të tillë, si dhe dita- ditës po rrezikon jetën e atyre personave të paktë të cilët e preferojnë udhëtimin me biçikletë. Ne, vullnet dhe dashuri për sport kemi, por mundesitë që të praktikojmë nje gjë te tille i kemi të kufizuara. Nëse do të kishim edhe shtigje të çiklizmit, do të kishim edhe ajr më të pastër, do të kishim më pak vetura në rrugë, më pak trafik dhe më shumë shëndet.”, tha Latifi.

Vetëvendosje, gjatë këtij aktiviteti, pati edhe një kërkesë për kryetarin e komunës së Podujevës, Agim Veliu.

“Ne duam që ky aktivitet të trokas në ndërgjegjen e kryetarit të qytetit tonë, që sa më parë të filloj së krijuari kushtet për çiklistë dhe mos ta neglizhoj edhe më tutje këtë nevojë të qytetarëve. Andaj të punojmë që të krijojmë kushte, në mënyrë që të udhëtojmë dhe të jetojmë çdo ditë shëndetshëm dhe jo vetëm një të diele” tha ai.

Në këtë aktivitet, përveç aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje morën pjesë edhe dy deputetë të VV, Xhelal Sveçla dhe Fitore Pacolli.

Ky aktivitet ka filluar nga sheshi “Ali Ajeti” dhe do të përfundojë në Orllan./Llapi.info