Lëvizja Vetëvendosje deklarojnë se me pikëllim të thellë morën lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit të FFK-së dhe njërit prej personaliteteve më të shquara dhe më kontributdhënëse në fushën e sportit, Fadil Vokrri.
Në telegramin e ngushëllimit të VV-së, thuhet se “Fadili ishte mjeshtër i madh i futbollit”.
“Nga një i ri i talentuar në KF Llapi, ai u bë qendërsulmues dhe kapiten i gjeneratës së artë të KF Prishtina, klub të cilin e udhëhoqi në nivelin më të lartë, ligën e parë të futbollit. Atëherë kur futbolli nuk ishte vetëm sport por edhe rezistencë, 55 golat e Fadil Vokrrit në fanelën e Prishtinës i bënin krenarë shqiptarët në gjithë ish Jugosllavinë dhe jo vetëm. Përkundër shtypjes dhe urrejtjes antishqiptare talenti i i tij e bëri atë shqiptarin e vetëm që luajti nën fanelën e ish Jugoslavisë. 2 golat e tij kundër Irlandës Veriore bën që tërë stadiumi i Sarajevës të brohoriste emrin e tij. Vokrri shkëlqeu edhe në Partizanin e Beogradit, Fenerbahçen e Stambollit e Nimes të Francës”.
“Vepra dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm në ngritjen e nivelit të sportit në Kosovë ndër breza mbetet vlera më e madhe që ky sportdashës i madh po na lë të trasuar rrugën për të vazhduar tutje.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ndan dhimbjen me familjen Vokrri dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për personalitetin dhe për veprën e madhe të Fadil Vokrrit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit