Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar faljen e dënimit që presidenti Hashim Thaçi i bëri ish-dëshmitarit të rastit të Astrit Dehari, Luz Allakaj, i cili u lirua nga akuza për vrasje, raporton KOHA.
Ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes një konference për media ka thënë se përkundër se kanë kaluar 4 vjet, Prokuroria ende nuk ka dhënë detaje konkrete për rastin Dehari.
“Po bëhen 4 vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Gjatë këtyre ditëve qytetarët, familjarët e Deharit por edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi parë se si dëshmitarët e Astritit ose janë vrarë, ose janë liruar, e pas kësaj fshihen skenare të errëta”, tha Haxhiu.
Me këtë rast Haxhiu tha se VV-ja ka kërkuar qasje në dokumentacionin e lirimit të Allakaj, por sipas saj për një gjë të tillë nga presidenca ende nuk kanë dhënë informata.
“Kërkojmë sqarime nga Prokuroria Speciale. Deri ku kanë mbërritur hetimet, pse kjo lëndë nuk është prioritet, pse lënda nuk është aktive? Prokuroria duhet të guxoj të veproj pavarësisht presioneve dhe tendencave për ndërhyrje. Prokuroria nuk duhet të hesht, duhet të flas dhe të njoftoj opinionin për hapat që ka marrë”, tha Haxhiu.