Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar liderët partiakë në një takim para vizitës së planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Ky takim është planifikuar që të zhvillohet nesër në orën 11:00 në zyrën e kryeministrit.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit”, shkroi Hoti në Facebook.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës si parti opozitare e ka mirëpritur vizitën në Shtëpinë e Bardhë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar.

Ndërkohë, Vetëvendosje përmes zëdhënësit Arlind Manxhuka, ka njoftuar se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Hotit.

“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takimin e sotëm as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisë”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Po ashtu, VV-ja edhe dje kritikoi Hotin dhe presidentin Hashim Thaçi . Përmes një postimi në Facebook tha se Grenelli njoftoi për vendimin e radhës të Qeverisë Hoti, “që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Duke e quajtur “qeveri të sajuar” nga presidenti Thaçi, Vetëvendosje ka thënë se Qeveria Hoti e largoi masën e reciprocitetit, duke e zhveshur tërësisht Kosovën nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror.