Lëvizja Vetëvendosje përmes një konferencë për media e ka komentuar projektligjin për RTK-në.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, që është edhe anëtar i Komisionit parlamentar për media tha se skema e financimit të RTK-së është problem i madh.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës do të paguajnë 2.5 euro në muaj për RTK-në përmes faturave të energjisë elektrike.

“Anëtarët e grupit punues të këtij komisioni kanë vendosur pagesën prej 2.5 euro për çdo subjekt fizik dhe juridik të Republikës së Kosovës”, tha Ramadani.

Sipas tij, pagesat do të bëhen përmes kompanisë KEDS që menaxhon me rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë. Nga 2.5 euro pagesa, kompania KEDS do të marrë provizion 0.50 cent ose 2.5 milionë euro në vit.

“Ne mendojmë që kjo tarifë duhet të mblidhet nga Posta e Kosovës. Një kompani publike që edhe është pranë falimentimit. Pra këto 2.5 milionë euro më mirë do të ishin për një kompani publike se sa një private”, tha tutje Ramadani.

Ai e vlerëson situatë në RTK si aspak mirë.

Hartimin e projektligjit për RTK-në, që e ka bërë komisioni për media, sipas Ramadanit është përcjellë me probleme të mëdha.

“Situata nuk është aspak e mirë, as për nga cilësia e korrektësia e programcionit të RTK-së e as për nga menaxhimi e drejtimi i saj”, tha deputeti Ramadani.