Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në të cilën folën deputetet Arbërie Nagavci dhe Saranda Bogujevci, në lidhje me dhunën e vazhdueshme ndaj grave, vrasjet që kanë ndodhur ditëve të fundit, për, siç thonë në VV, “neglizhencën totale Policisë së Kosovës dhe dështimin e shtetit për t’i parandaluar dhe vënë drejtësi pasi ato të kenë ndodhur”.

Deputetja Nagavci e nisi fjalën duke përmendur vrasjen që ndodhi, sërish, ndaj një tjetër gruaje në Gjakovë ditën e sotme. Foli për numrin gjithnjë në rritje të dhunës në familje dhe mostrajtimin nga ana e shtetit dhe institucioneve përkatëse të shkaqeve dhe rrethanave që po çojnë në këto raste.

“Sivjet, deri në korrik janë evidentuar 751 raste të dhunës në familje. Edhe vetë statistikat e Policisë tregojnë se numri i dhunës në familje po rritet nga viti në vit. E dhuna ka qenë edhe shkaku kryesor që disa nga këto raste kanë përfunduar me fatalitet. Në një prononcim Policia e Kosovës ka thënë se gjatë vitit 2015 janë evidentuar 1038 raste, ndërsa në vitin 2017 janë 1269 raste. Sipas raporteve të RrGK, 40.9% e grave vuajnë nga dhuna në familje”, tha Nagavci.

Gratë në Kosovë po vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme dhe të përballen me dhunë të vazhdueshme, që nga mosofrimi i mundësive të barabarta në shkollë e në institucione tjera deri te punësimi apo edhe delegimi i përgjegjësive në punë. Nga pabarazia si dhunë deri te dhuna verbale, fizike dhe privimi nga jeta.

Nagavci theksoi se vetëm në ditët e fundit kemi dy raste të vrasjeve të grave në Gjakovë, Valbona me vajzën e saj Kiarën dhe sot në orët e hershme të mëngjesit një tjetër grua e privuar nga e drejta për jetë nga bashkëshorti i saj.

“Çështja bëhet edhe më tragjike kur këtyre vrasjeve i shtojmë edhe rastet e raportuara, si rasti ku një burrë bashkë me djemtë e tij përdori dhunë fizike mbi gruan dhe vajzat të cilët tashmë janë liruar nga policia. Ndaj këtij fenomeni, drejtësia dhe shteti jo vetëm që janë neglizhentë, por edhe nuk i trajtojnë me seriozitet këto vepra penale, rrjedhimisht duke i stimuluar në mënyrë direkte aktet e tilla të dhunës”, tha ajo.

Deputetja Bogujevci foli për masat që duhet të ndërmarrë shteti dhe institucionet përkatëse për të parandaluar dhe ngritur zërin kundër rasteve të dhunës në familje duke filluar nga kërkesa për interpelancë me ministrat e Ministrisë për Drejtësi dhe Ministrisë për Punë të Brendshme, te protestat e aktivitetet simbolike, si dhe, së bashku me shoqërinë civile, organizimin e fushatave vetëdijesuese kundër dhunës në familje.

“Dhuna ndaj grave duhet të marrë fund, edhe sot është shumë vonë, andaj Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë angazhimin me të gjitha kapacitetet dhe format në adresimin sa më të gjerë të kësaj situate për përmirësimin e saj”, përfundon komunikata e VV-së.