Lëvizja Vetëvendosje të premten do të organizojë tryezën e titulluar ‘Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve’, ku do të jenë të ftuara subjektet politike.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar sot lidhur me tryezën ku ka thënë se tashmë janë duke u dërguar ftesat tek partitë politike.
“Janë duke u dërguar ftesat, sekretariati po e bën këtë dhe shpresoj që të premten të gjithë ata që i kemi ftuar do të vijnë”, ka thënë Kurti, shkruan Indeksonline.
Sipas tij, kjo është një tryezë tjetër për nevojën për zgjedhje të reja në Kosovë.
“Përmes së cilave ne synojmë zgjidhje për krizën në vend, në situatën të cilën qeveria gjinden dhe ka vetëm 52 deputetë. Ne besojmë që kjo qeveri nuk është më legjitime për shkak se nuk e ka shumicën minimale të domosdoshme për shtetin tonë, që është Republikë Parlamentare, jemi të interesuar që sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje parlamentare”, ka vazhduar tutje Kurti.
Ai beson kjo qeveri duhet të largohet, sa më shpejtë. “Duket qartazi se kryeministri aktual më shumë ka qenë ushtrues detyre se sa kryeministër. Kemi nevojë për zgjedhje demokratike, pasi kemi nevojë për një qeverisje të shumicës parlamentare”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit jo vetëm interesi politik është për zgjedhje por edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës.
“Jam i bindur se jo vetëm interesi por edhe vullneti i qytetarëve është për një zgjidhje të tillë. Ne kërkojmë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe të deputetëve të Republikës”, ka përfunduar kreu i VV-së.