Ylli amerikan i peshës së rëndënë boks Deontay Wilder është i gatshëm të lëshojë rrugë për një super-meç mes Anthony Joshuas dhe Tyson Furyt, në rast se ai paguhet nëntë milionë euro, shkruan “The Sun”.
Wilder e ka aktivizuar klauzolën për një luftë të tretë me kampionin e versionit WBC, Tyson Fury. Wilder e humbi titullin e botës nga Fury në shkurt të këtij viti, duke u ndal me nokaut teknik në raundin e shtatë. Meçi i parë mes tyre në dhjetor të vitit 2018 kishte përfunduar me barazim.
Joshua ndërkohë ka në pronë tre titujt tjerë të mëdhenj në peshën e rëndë, ato në versionet WBA, IBF dhe WBO.
Pas fitores së Furyt ndaj Wilderit është kërkuar një duel britanik mes Furyt e Joshuas për të përcaktuar kampionatin absolut në peshën e rëndë.
Derisa Fury duhet të luftojë me Wilderin në meç të tretë fillimisht, Joshua duhet të mbrojë titujt kundër bullgarit Kubrat Pulev.
Por, mësohet se Wilder është i gatshëm të hap rrugën për të lejuar Furyn që të ndeshet me Joshuan, por i kërkon nëntë milionë euro. Pos kësaj, amerikani 34-vjeçar kërkon një garanci se do të luftojë me fituesin, për të pasur rastin për të fituar të katërt titujt e mëdhenj në peshën e rëndë.
Edhe bullgari Pulev ka dhënë sinjale se është i gatshëm ta lëshojë rrugën për meçin e madh.
Lajmi për një duel të mundshëm mes dy yjeve të mëdhenj të boksit vjen vetëm dy ditë pasi Fury ka shkruar në rrjete sociale duke thënë se së shpejti do të jap në lajm të madh.
“Kam lajme të mëdha. Më ka telefonuar MTK dhe kemi lajme të mëdha për gjithë ju së shpejti”, ka shkruar Fury.