Në rast se liderët dështojnë, Kuvendi do ta zhbllokojë punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA ka theksuar se KSHZ-ja duhet patjetër formuar përderisa afatet për shpalljen e referendumit po afrohen.
Sipas tij, fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit janë datat e mundshme kur Kuvendi do ta shpall referendumit, por paraprakisht do të zgjedhë edhe anëtarët e KSHZ-së.
“Që të them kur është dita e fundit për shpalljen e referendumit, duhet ta kem datën kur do të mbahet ai. Nuk jemi shumë të ngarkuar më këtë gjë, por 30 dhe 31 korriku apo 1 gushti është afati fundit. Sa u përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhorë, procedurat mundësojnë që deri sa zgjat debati rreth propozimit dhe ndërkohë ka marrëveshje konsensuale mes partive politike nuk ka asnjë pengesë që propozuesi ta tërheqë propozimin dhe të mbyllet debati”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Pas formimit të KSHZ-së dhe para shpalljes së referendumit, marrëveshja me Greqinë do të publikohet në Gazetën Zyrtare.
“Nëse ligji nuk hyn në fuqi, cila është logjika e mbajtjes së referendumit? Nëse ligji është sjellë në Kuvend dhe llogaritet si ligj në fuqi, atëherë kur do të publikohet? Për këtë arsye jam duke udhëhequr një fushatë me të gjitha institucionet që veprimet të koordinohen dhe të mos u imponoj vendime me forcë. Do të jetë e logjikshme pasi që ligji do të jetë lëndë e referendumit. Në aspektin formalo-juridik ligji, edhe pse është sjell, nuk është në fuqi deri sa nuk publikohet në Gazetën Zyrtare”, theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Dy javët e ardhshme sipas Xhaferit do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit. Deri në fund të muajit, Kuvendi do të duhet të zgjedhë anëtarët e KSHZ-së, të dërgojë marrëveshjen për emrin në Gazetën Zyratare dhe të shpall datën e referendumit. Në këtë drejtim, sipas Xhaferit, nuk ka opsion tjetër.